Qëllimi që synon të arrij misioni i USAID-it në Kosovë në kuadër te Strategjisë së Bashkëpunimit për Zhvillim të Vendit 2020-2025 (SBZHV) është që Kosova të realizojë dividendën e saj demokratike dhe demografike përmes zgjidhjeve të cilave do t’u prijë vetë. Për të arritur këtë qëllim, USAID-i do të përpiqet të rrisë llogaridhënien qeveritare dhe synojë shfrytëzimin e mundësive të reja demokratike dhe ekonomike. Suksesi në këto dy fusha do t’ia trasojë rrugën Kosovës për të përparuar në rrugëtimin e saj drejt vetqëndrueshmërisë.
Rëndësi themelore për realizimin e qëndrueshem të këtij qëllimi kanë dy objektiva zhvillimor (OZH): 1) qytetarët shërbehen më mirë nga institucione llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes dhe 2) rriten mundësitë për pjesëmarrje gjithpërfshirëse demokratike dhe ekonomike. Këta OZH, të ndërthurur brenda tërësisë së kornizës sonë të rezultateve, do t'i mundësojnë Kosovës qe të adresojë më mirë sfidat e veta zhvillimore në afat të gjatë.
OBJEKTIVI ZHVILLIMOR 1: Qytetarët shërbehen më mirë nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes
Misioni i USAID-it në Kosovë planifikon të mbështesë zbatimin e plotë të ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës duke përdorur një qasje dydrejtimëshe: 1) përmes shoqërisë civile, sektorit privat dhe organizatave të bazuara në komunitete për të përfaqësuar më mirë nevojat e të gjithë qytetarëve dhe mbajtur qeverinë llogaridhënëse, dhe 2) duke përdorur ndikimin e Misionit dhe mbështetjen në ndërtimin e kapaciteteve për të ndihmuar QK-në të zbatojë më mirë ligjet dhe politikat brenda sferave të gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit, përfshirë politikën e shëndoshë fiskale dhe menaxhimin efikas te fondeve publike, qasjen gjithpërfshirëse në drejtësi me fokus tek qytetari, ofrimin e barabartë të shërbimeve publike, dhe përfaqësimin e barabartë të të gjithë qytetarëve.
OBJEKTIVI ZHVILLIMOR 2: Rriten mundësitë për pjesëmarrje gjithpërfshirëse demokratike dhe ekonomike
Për të mbështetur krijimin e mundësive më të mëdha demokratike dhe ekonomike për qytetarët e Kosovës, veçanërisht gratë dhe të rinjtë, qasja e misionit të USAID-it në Kosovë është e ndarë në dy shtylla: 1) të mbështesë nismat e drejtuara nga qytetarët dhe bashkëpunimin në mes shoqërisë civile, qeverisë dhe sektorit privat për angazhim më të mirë dhe krijim të mundësive për të gjithë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, dhe 2) të krijojë një ekonomi e cila ofron mundësi përmes rritjes së konkurueshmërisë së sektorit privat, përmirësimit të sigurisë energjetike dhe një fuqie punëtore të aftë. Kjo qasje dydrejtimëshe qëndron mbi tri rezultate të ndërmjetme: a) rritjen e kontributit të qytetarëve demokracisë dhe ekonomisë, b) rritjen e konkurueshmërisë së sektorit privat në sektorët e shënjestruar, dhe c)
përmirësimin e sigurisë energjetike.