Industria e përpunimit të drurit ka qenë prej kohësh një shtytës i rritjes ekonomike në Kosovë. Vitet e fundit, ky sektor ka bërë emër në tërë Evropën për mobiljet elegante moderne dhe aftësinë për projekte ndërtimi me porosi duke përdorur teknologji të re. Përkundër kësaj, programet arsimore për studentët e interesuar në dizajnin e produkteve në Kosovë shpesh janë fokusuar në elementet teorike të dizajnit të enterierit pa ofruar shkathtësi konkrete të nevojshme për t’i plotësuar vendet e lira të punës në industri. Kjo mungesë e shkathtësive paraqet kërcënim për zhvillim dhe i pengon të rinjtë e talentuar kosovarë të përfitojnë nga mundësitë në këtë sektor.
USAID-i ka punuar për ta ndryshuar këtë gjë. Kohët e fundit, Aktiviteti i Konkurrencës i USAID-it ndihmoi në hartimin e programit të parë të praktikës në Kosovë për dizajn të enterierit dhe inovacion produktesh përmes bashkëpunimit me Kolegjin AAB, Universitetin e Bolonjës, Universitetin Politeknik të Milanos dhe Akademinë Shehu. Kursi fokusohet në pajisjen e studentëve me shkathtësitë praktike që ekspertët e industrisë i kanë identifikuar si thelbësore në zhvillimin e dizajneve të drurit me cilësi të lartë dhe inovative.
“Programi ishte një përvojë transformuese, duke na mundësuar të eksplorojmë dhe eksperimentojmë me detaje në ngjyra, forma dhe nuanca të drurit. Nëpërmjet vizitave në fabrika të ndryshme, mësuam drejtpërdrejt se si t’i shfrytëzojmë makineritë e sofistikuara dhe patëm mundësinë të shohim teknika të ndryshme të përpunimit në praktikë”, tha Erika Bllaca, një nga 13 studentet që u diplomuan në programin e ri të Kolegjit AAB. “Më dukej si një përvojë aq e vërtetë saqë mund ta imagjinoja veten me uniformë, duke punuar me këto makina dhe duke krijuar produkte të reja nga të gjitha këto materiale unike që po shihja.”
Përmes këtij programi, më të mirët dhe më të ndriturit në botën e dizajnit të Kosovës do të mund të fillojnë punën në një sektor që tashmë është duke arritur sukses shkallë ndërkombëtare. Suksesi i tyre do të formësojë të ardhmen e kësaj industrie dhe aftësinë për të vazhduar këtë punë të rëndësishme për vitet në vijim. USAID-i me krenari e ka mbështetur rritjen e sektorit të përpunimit të drurit që nga viti 2016 për të krijuar mundësi për të gjithë kosovarët.