Sektori privat në Kosovë po bashkëpunon ngushtë me akterët kryesorë qeveritarë për të marrë përsipër një rol më të madh udhëheqës në nxitjen e reformave të politikave të zhvillimit të fuqisë punëtore. Grupet punuese të politikave të bazuara në sektorë, të fuqizuara nga aktiviteti i USAID-it Zhvillimi i Fuqisë Punëtore i Udhëhequr nga Sektori Privat, po i prijnë avokimit për reforma në tre sektorë kyç: Agrobiznes, Përpunim të Drurit dhe Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Këto grupe punuese, të përbëra nga përfaqësues të ndërmarrjeve të sektorit privat, institucioneve publike dhe private të arsimit dhe trajnimit teknik dhe profesional (TVET) dhe zyrtarë qeveritarë, ofrojnë njohuri dhe ide të vlefshme lidhur me intervenimet e duhura nga aspekti i politikave të fuqisë punëtore. Këto më tej trajtohen përmes dialogut mbi politikat me qeverinë.
Zenel Bunjaku, kryesues i Grupit Punues për Politikat e Agrobiznesit, dëshmon për ndryshimin transformues të lehtësuar nga USAID-i. "Nisma e USAID-it na ka ndihmuar t’i identifikojmë sfidat e fuqisë punëtore dhe ka ofruar modele zgjidhjesh. Tani, ne kemi një platformë ku kolektivisht ofrojmë perspektivën tonë dhe angazhohemi në dialogun e politikave me qeverinë. Aktiviteti i Grupit Punues të Politikave nuk konsiston vetëm në propozimin e politikave, por ka të bëj edhe me krijimin e një narrativi për të ardhmen e fuqisë punëtore."
Duke kombinuar rishikimin e politikave dhe nevojat për fuqi punëtore të sektorit privat, këto grupe punuese kanë bashkëpunuar në identifikimin e pengesave ndaj zhvillimit të fuqisë punëtore dhe në propozimet që i janë dhënë qeverisë për veprime në politika. Këto përpjekje kanë çuar në disa propozime politikash, duke përfshirë inkorporimin e masave për edukim dhe trajnim në Programin e Zhvillimit Rural për vitin 2024 të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR). Masa të tilla janë sugjeruar si një kriter i favorshëm edhe për programet e granteve dhe subvencioneve, së bashku me propozimet që kanë të bëjnë me skemat e asistencës sociale dhe mbështetjen e bizneseve të të rinjve për të hyrë në sektor.
Në sektorin e TIK-ut, grupi i punës po shqyrton veçanërisht politikat që do të mundësonin financimin nga ana e sektorit privat të nismave që kanë të bëjnë me arsimin. Ndërkohë, në sektorin e Përpunimit të Drurit, grupi punues po shqyrton intervenimet e politikave për të avancuar arsimin e integruar i cili kombinon punën praktike dhe arsimin profesional nëpër shkolla në Kosovë.
USAID-i mbetet i përkushtuar ndaj mbështetjes së sjelljeve transformuese të cilat i kontribuojnë avancimit të reformave të politikave dhe zgjidhjeve gjithpërfshirëse të zhvillimit të fuqisë punëtore.