Gjuha

Kosova ka qenë duke kërkuar mënyra për ta përshpejtuar revolucionin e saj të gjelbër. Krijimi i burimeve të reja të energjisë së ripërtëritshme dhe rritje e efikasitetit të operacioneve të biznesit për energjinë do ta ndihmonte vendin ta bënte pikërisht këtë, por kostot shoqëruese kanë qenë shpesh pengesë. Për t’i kapërcyer këto sfida, USAID-i ka punuar me partnerë për të krijuar mundësi financimi për ata që synojnë të investojnë në një të ardhme më të qëndrueshme.  

Në fillim të këtij viti, USAID-i mbështeti Bankën për Biznes (BPB) për të hartuar politika dhe procedura për t’i lansuar kreditë e para të gjelbra në vend për bizneset. Në muajt vijues, këto kredi do të vënë në dispozicion burime të konsiderueshme financiare për individët që synojnë të prodhojnë energji nga era dhe dielli për rrjetin energjetik të Kosovës. Ato do të ndihmojnë gjithashtu kompanitë të blejnë makineri me efikasitet energjetik dhe pajisje të tjera të nevojshme për metodat bujqësore ekologjike.

Me disa modifikime të vogla në këtë produkt kredie, BPB ka filluar të jape kredi edhe për familjet individuale që duan të instalojnë panele diellore dhe të përmirësojnë izolimin për t’i ulur kostot për ngrohje dhe ftohje, ndër projekte të tjera. BPB ka siguruar tashmë 4 milionë dollarë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të filluar administrimin e këtyre llojeve të kredive dhe po punon për të siguruar burime shtesë.

Kjo risi shërben si model të cilin institucionet e tjera financiare dhe qeveritë në tërë Ballkanin Perëndimor mund ta kopjojnë për të zhvilluar veprime ekologjike. Kjo gjithashtu dëshmon se Kosova është e aftë për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik duke e ndihmuar në mënyrë aktive vendin të përshtatet me ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Image
Kreditë e gjelbra—Një rrugë drejt zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë
Produkti i kredisë së lehtësuar nga USAID u prezantua në një ngjarje që mblodhi të gjithë palët e interesuara.