Në industrinë shumë aktive të drurit në Kosovë, saktësia nuk është vetëm preferencë - është domosdoshmëri. Një llogaritje e gabuar e vetme në matje mund të rezultojë në humbje të mëdha financiare. Disa ekspertë të industrisë vlerësojnë se sektori humbet rreth 6 milionë euro nga gabimet në matje çdo vit, duke kufizuar kështu ndjeshëm fitimin për shumë kompani.
Për ta adresuar këtë çështje urgjente, Aktiviteti Kosovar i Konkurrencës i USAID—it (USAID's Kosovo Compete Activity) së fundi krijoi partneritet me Qendrën e Trajnimit Dekoriti për të prezantuar në këtë industri laserin FARO M70. Ky mjet i avancuar, i njohur për saktësinë e vet milimetrike dhe aftësinë për të matur 500 pika në minutë, është duke transformuar qasjen e industrisë ndaj matjes dhe kontrollit të cilësisë në Kosovë. Kur kësaj i shtohet edhe përdorimi i softuerit të ri, FARO M70 është shndërruar në një pikë kthyese për industrinë vendore.
Përmes një programi rigoroz dyjavor trajnimi, 22 përfaqësues nga 17 kompani të ndryshme mësuan si t’a përdorin skanerin në punën e tyre. Rezultatet ishin transformuese dhe kompanitë raportuan deri në 50 përqind reduktime si në kosto ashtu edhe në kohën e nevojshme për përfundimin e projekteve individuale.
Zgjidhjet e problemeve me anë të teknologjisë bashkëkohore për kompanitë vendore të përpunimit të drurit janë të dobishme edhe për industri të tjera kritike në Kosovë. Për shembull, Qendra e Trajnimit Dekoriti së fundmi ka bashkëpunuar me një kompani gjeodezike për të përdorur FARO M70 për ta vlerësuar dëmtimin e një turbine në termocentralin Kosova A.
USAID në Kosovë ka qenë një përkrahës i palëkundur i industrisë së drurit që nga viti 2004 dhe mbetet i përkushtuar për ta forcuar sektorin në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke rritur konkurrencën dhe duke krijuar lidhje të reja dhe mundësi eksporti.