Për vite me radhë, Kosova ishte i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa vlerësim kreditor sovran. Kjo gjë i ka kufizuar perspektivat ekonomike pasi që shumica e institucioneve financiare ndërkombëtare nuk mund të miratonin kredi të mëdha, investime apo mundësi për zgjerim biznesi në Kosovë pa një vlerësim të tillë të aftësisë së vendit për t’i shlyer borxhet e veta. Për ta eliminuar këtë pengesë për zhvillim, USAID-i ofroi mbështetje teknike dhe financiare për t'i mundësuar Kosovës që të sigurojë një vlerësim kreditor sovran në prill 2024.
Po në muajin prill, Kosova mori një vlerësim kreditor BB- nga Fitch Ratings pas disa muajve të bashkëpunimit ndërmjet Aktivitetit të Promovimit të Investimeve dhe Qasjes në Financa të USAID-it dhe Ministrisë së Financave të Kosovës. Ky vlerësim shënon një arritje historike në historinë ekonomike të vendit dhe e vë Kosovën në një pozitë të favorshme në mesin e fqinjëve të saj në Ballkanin Perëndimor. Me vlerësimin e ri, qeveria do të ketë qasje më të mirë në financa për ta mbështetur arsimin, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet e tjera publike, duke bërë të mundur gjithashtu tërheqjen e shumë më tepër investimeve të huaja.
Me rastin e lansimit zyrtar të vlerësimit, në fjalimin e saj, Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Eileen Devitt tha se ajo e konsideron vlerësimin si “pjesë të një përpjekjeje shumë më të gjerë përgjatë dekadash për të siguruar që sektorit privat dhe publik t’i jepen mundësitë e nevojshme për investime dhe financa për të mbështetur zhvillimin e ekonomisë". Ajo më tej vuri në pah se vlerësimi ishte vetëm një nga sukseset e fundit në mesin e shumë arritjeve ekonomike të mbështetura nga USAID në Kosovë, ku nuk ka se si të mos përmendet edhe themelimi i bankës së parë komerciale të Kosovës dhe fondit të saj për garanci kreditore.
Përmes rritjes së integrimit në sistemet ekonomike globale që ky vlerësim e mundëson, Kosova tashmë ka në dispozicion shumë më tepër burime për t’i mbështetur shërbimet publike dhe zhvillimin e sektorit privat. Kjo arritje dëshmon vendosmërinë e Kosovës për të ecur drejt një të ardhmeje më të begatë dhe vë në pah fuqinë e bashkëpunimit në tejkalimin e sfidave fundamentale drejt zhvillimit ekonomik të vendit.