Në peizazhin e furishëm mediatik të Kosovës, ku klikimet kanë tendencë të dominojnë narrativin, tregimet e përditshme të grave dhe burrave që sfidojnë stereotipet shoqërore kanë tërhequr vëmendjen e shikuesve. Seriali televiziv "Prijmë" shpërtheu duke sfiduar normat shoqërore përmes tregimeve bindëse mbi burrat dhe gratë që sfidojnë stereotipet. I financuar nga USAID-i, ky emission trajton çështje si dhuna onlajn ndaj grave në politikë, duke ndezur diskutime tejet të nevojshme.
Përmes programeve televizive inovative dhe përdorimit efektiv të mediave sociale, projekti depërtoi deri te një audiencë të gjerë, duke tërhequr vëmendjen e mbi 200,000 njerëzve onlajn dhe në televizion. Naile Dema Selmani, redaktore dhe gazetare që moderon emisionin, vërejti se ndikimi mbresëlënës i serialit shtrihej përtej ekranit, duke nxitur ndërgjegjësimin, frymëzuar veprimin dhe nisur ndryshimet shoqërore. Sipas Selmanit, seriali “demonstron fuqinë e mediave në nxjerrjen në pah të çështjeve sociale dhe domosdoshmërisë për të vazhduar përpjekjet drejt sigurimit të një mjedisi publik të sigurt dhe të barabartë për të gjithë, veçanërisht për gratë.”
I transmetuar në TV prime-time, emisioni kishte si pjesmarrës figura të shquara si Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, artisti Genc Salihu, nënkolonelja e FSK-së Vjosa Maloku-Ramadani, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, gazetarja Mira Kazhani dhe futbollistja Kosovare Asllani.
Me përparimin e serialit, shikuesit filluan të mblidhen në platformat e mediave sociale, duke përfshirë Fejsbukun, Tuiterin dhe Instagramin, për të shkëmbyer këndvështrime mbi storiet e të ftuarve në emision, duke i shndërruar këto platforma në nyje qendrore të diskutimeve mbi ndikimin më të gjerë të kontributeve të grave në fusha tradicionalisht të dominuara nga meshkujt.
Në këtë kontekst, spikati storia e nënkoloneles Maloku-Ramadani. Ajo dhe bashkëshorti i saj janë të dy pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe ndonëse ajo është oficere me gradë më të lartë, njerëzit zakonisht së pari e pyesin burrin e saj për çështjet që kanë të bëjnë me FSK-në. “Ata i drejtohen burrit tim sepse mendojnë se ai di gjithçka,” tha Maloku-Ramadani, “sepse në shoqërinë kosovare, pikëpamjet mbi gratë janë plot paragjykime, ndërsa burrat merren si të gjithdijshëm.”
Moderatorja Naile Dema Selmani morri mbështetje të fuqishme, gjë që dëshmon rëndësinë e nismave të tilla që promovojnë gjithpërfshirje dhe barazi. I mbështetur nga USAID-i dhe SDC-ja, "Prijmë" shërbeu si katalizator i ndryshimeve shoqërore, duke avokuar për një peizazh politik më gjithpërfshirës në Kosovë.