Që nga organizimi i Festivalit Sunny Hill në Prishtinë me artistë si Dua Lipa dhe Rita Ora, Kosova ka fituar reputacion për talent në muzikë. Pavarësisht kësaj, mësimnxënia formale nuk ka qenë gjithmonë lehtë për t'u arritur për fëmijët dhe adoleshentët në shumë pjesë të vendit.
Leon Cana e konsideron veten me fat. I rritur në Gjakovë, familja e tij u kujdes shumë për të gjetur mundësi që ai t’i zhvillonte aftësitë dhe pasionin e tij për muzikën. Ky edukim i shërbeu mirë, duke i mundësuar atij të njihej në nivel ndërkombëtar si pianist përmes garave në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Zvicër.
Në kërkim të karrierës, Leoni synonte të gjente një mënyrë për t’i ndarë aftësitë e tij me pjesën tjetër të komunitetit. Thjesht nuk dinte si ta bënte këtë.
Kjo e shtyu Leonin të regjistrohej në Shkollën e Ndërmarrësisë dhe Inkubacionit të Biznesit të mbështetur nga USAID-i në vitin 2022. Mësimet e përshtatura dhe angazhimi me të rinj të tjerë pasionantë që synonin t’i realizonin projektet e tyre e ndihmuan të mësonte aftësi të reja në biznes, udhëheqje dhe planifikim strategjik. Gjithashtu ai mësoi si të krijonte një plan biznesi për një shkollë të re muzikore dhe arti në qytetin e tij të lindjes.
Në dimrin e vitit 2023, ky plan u bë realitet me themelimin e Shkollës së Arteve “Allegra”, një projekt që i ka mundësuar Leonit ta përdorë ekspertizën e tij 14 vjeçare në muzikë dhe 5 vjet në arsim për të siguruar jetesën me një punë nga e cila përfiton edhe komuniteti i tij. Shkolla ofron një sërë kursesh të ndryshme muzikore dhe artesh vizuele, duke përfshirë kitarë, piano, flaut, violonçelo, violinë, klarinetë, saksofon, pikturë, këndim solo dhe arte të tjera kreative, dhe është bërë shpejt një pikë takimi për artistët e rinj në qytet. Shkollën e kanë vijuar mbi 100 nxënës gjatë vitit të parë të funksionimit të saj.
Leoni thotë se është tejet i gëzuar që është në një pozitë ku talenti dhe edukimi i tij po kontribojnë drejtpërdrejt në suksesin e një gjenerate të re në Gjakovë. Ai është i dhënë pas punës së përditshme duke kultivuar talente të reja dhe sheh mundësi që Allegra të rritet dhe të zgjerohet në vitet në vijim.
Historitë si ajo e Leonit po shërbejnë si dëshmi për të rinjtë që ata mund të ndërtojnë diçka të veten në Kosovë dhe të fillojnë karrierën duke bërë diçka që e dinë dhe e duan. Pra, këto histori po shërbejnë gjithashtu si një rikujtim se si progresi ekonomik dhe social mund të arrihet thjesht duke i pajisur të rinjtë kosovarë me aftësitë që u nevojiten për të shfrytëzuar potencialin e tyre dhe për t'i kthyer ëndrrat e tyre në diçka konkrete.