USAID-i synon t’u japë mbështetje mundësive më të mëdha demokratike dhe ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përforcuar njëkohësisht zërat më pak të dëgjuar si të grave, të rinjve dhe pakicave. USAID-i hyn në partneritete me sektorin privat, donatorët dhe shoqërinë civile për t’i identifikuar dhe ndjekur mundësitë ekonomike si dhe mbështetur angazhimin e qytetarëve në proceset dhe nismat demokratike. Aktivitetet e USAID-it janë të orientuara drejt lehtësimit të gjenerimit të më shumë mundësive ekonomike përmes rritjes së konkurencës, përmirësimit të sigurisë energjetike dhe zhvillimit të një fuqie punëtore të aftë. USAID-i do të angazhohet në krijimin e mundësive për të gjithë, duke u përqëndruar në nisma të udhëhequra nga qytetarët dhe bashkëpunim.
Shkalla e lartë e papunësisë, informaliteti prezent gjithandej, varshmëria nga remitencat dhe korrupsioni i pandërprerë, vazhdojnë të pengojnë zgjerimin e mundësive demokratike dhe ekonomike në Kosovë. USAID-i do t’i nxisë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, për të marrë pjesë aktive në proceset demokratike dhe për t’i kontribuar kohezionit shoqëror. Me qëllim të zvogëlimit te papunësisë, USAID-i po ua përshtatë shkathtësitë e punës nevojave të tregut. USAID-i gjithashtu do të angazhojë sektorin privat si një partner dhe katalizator për zgjidhje kreative duke ndërtuar lidhje te tregut dhe rritur sasinë dhe cilësinë e mallrave dhe shërbimeve për të cilat ka kërkesë të lartë. Me rritjen e bizneseve vendore dhe gjenerimin nga ana e tyre e profiteve më të mëdha, ato bëhen më të afta për të planifikuar, financuar dhe krijuar më shumë vende pune, duke i kontribuar zhvillimit të Kosovës.