Prishtinë, 19 korrik 2021 – Sot, Zyra e UNICEF-it në Kosovë dhe USAID-i shpallën një partneritet prej 1 milion dollarësh në mbështetje të përpjekjeve për komunikim dhe informim në Kosovë për parandalim dhe vaksinim kundër COVID-19.
Kjo mbështetje do të harmonizohet me Planin Kombëtar të Shpërndarjes dhe Vaksinimit (PKSHP) të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe do t’i rrisë njohuritë dhe ndërgjegjësimin rreth vaksinave të COVID-19, do t’i promovojë praktikat kryesore parandaluese dhe do t’i nxisë të gjithë qytetarët të vaksinohen. Përmes intervenimeve të bazuara në dëshmi dhe angazhimit me komunitetin, partneriteti do të kontribuojë në rritjen e pranimit për marrjen e vaksinave kundër COVID-19.
Siç tha në fjalimin e saj Lisa Magno, Drejtoreshë e Misionit të USAID-it, “Mënyra më e mirë për t’i mbrojtur familjet dhe veten nga COVID-19 është të siguroheni që keni qasje në informata të sakta, t’i ndiqni protokollet e sigurisë dhe të vaksinoheni. Ky partneritet mes USAID-it dhe UNICEF-it do të ndihmojë që informatat faktike të arrijnë në komunitetet më të margjinalizuara të Kosovës. COVID është garë kundër kohës; merreni vaksinën tani”.
Një studim i fundit i UNICEF-it tregon që shkalla e ulët e vaksinimit në Kosovë është rrjedhojë kryesisht e pranisë së lartë të informatave të gabuara rreth vaksinave. Ky aktivitet do t’i informojë më mirë qytetarët e Kosovës rreth vaksinave duke angazhuar një ekip profesionistësh me ekspertizë të specializuar në komunikime strategjike, media sociale, shkenca bihevioriste dhe sociale dhe në monitorim dhe vlerësim për të ndihmuar në përgatitjen e mesazheve të planifikuara për ta luftuar dezinformimin rreth vaksinimit. Duke i ndërgjegjësuar qytetarët dhe duke iu dhënë informatat që iu nevojiten, aktiviteti do ta ulë rrezikun e infektimit dhe përhapjes së COVID-19.
“Jemi mirënjohës për kohën dhe mbëshetjen shumë të nevojshme nga Qeveria e SHBA-ve. Përpjekjet tona për ta luftuar pandeminë nuk do të ndalen derisa çdo fëmijë dhe çdo familje në të gjitha komunitetet në të 38 komunat e Kosovës të jenë të sigurtë, të kenë qasje në informata faktike dhe në vaksina dhe të jenë të shëndetshëm. Ne do të punojmë së afërmi me partnerët për të ofruar dhe komunikuar mesazhe të sakta dhe faktike, të cilat mbështeten në dëshmi shkencore dhe kanë përmbajtje emocionale lidhur me COVID-19 dhe kështu do të luftohet hezitimi për vaksinim. Askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurtë”, tha z. Murat Sahin, Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
UNICEF dhe USAID janë të përkushtuar që ta zgjerojnë partneritetin e kahmotshëm mes dy organizatave për ta mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë dhe për të siguruar informim dhe komunikim të saktë, të shpejtë dhe efektiv rreth pandemisë COVID-19 dhe vaksinave.