Prishtinë, 21 tetor, 2021 – Më 27 shtator 2021, Aktiviteti për Energji të Qëndrueshme i USAID dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit (MM) për të promovuar zhvillimin e sektorit të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
Përmirësimi i zbatimit të projekteve të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë me ndihmën e zonimit gjeo-hapësinor i ka bashkuar këto dy institucione me sinergji unike për të fuqizuar më tej burimet e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë. Njëra prej sfidave kryesore që kanë identifikuar zhvilluesit e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë është mungesa e të dhënave sa i përket lokacioneve specifike që mund të shfrytëzohen për të zhvilluar projekte të erës dhe solare.
Në gjashtë muajt e ardhshëm, MMPHI-ja përmes mbështetjës së Aktivitetit për Energji të Qëndrueshme të USAID-it do të angazhojë të paktën pesë studentë dhe të posadiplomuar nga grupi i parë i programit të punës praktike ‘Energjia e Re’ për të lansuar aktivitetet e hartës zonale të MMPHI-së, si pjesë e këtij MM. Ky program po ashtu do të mbështesë përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të identifikuar mundësi të reja pune për të rinjtë e kualifikuar dhe integrimin e tyre në sektorin premtues të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë. Programi i punës praktike do t’ua mundësojë studentëve dhe të diplomuarve, në veçanti të rinjëve, minoriteteve, grave dhe personave të margjinalizuar për të promovuar energjinë e ripërtëritshme dhe për të identifikuar gjeneratën e ardhshme të ekspertëve të energjisë në vend.
USAID-i, përmes Aktivitetit për Energji të Qëndrueshme, synon që ta ndihmojë MMPHI-në gjatë gjithë procesit të përgatitjes së hartave zonale dhe përditësimin e gjeoportalit të Kosovës, me theks në identifikimin dhe kategorizimin e të gjitha tokave publike dhe vendosjen në hartë të zonave që potencialisht mund të shfrytëzohen për zhvillimin e projekteve me kapacitet të madh të energjisë së ripërtëritshme. Për më tepër, kjo asistencë do të mbështesë përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për ta transformuar sektorin e energjisë në Kosovë duke nxitur zhvillimin e opsioneve për energji të ripërtëritshme.
Për pyetje shtesë, ju lutem kontaktoni:
MMPHI, Gent Zeqiri, Këshilltar për Media dhe Komunikim në gent.zeqiri@rks-gov.net
USAID Kosovë, Xheraldina Cernobregu, Ekspert për Sensibilizim dhe Komunikim xcernobregu@usaid.gov.