PRISHTINË, 21 gusht 2024 – Shtetet e Bashkuara, përmes USAID-it, po ofrojnë 34.5 milionë dollarë ndihmë shtesë për popullin e Kosovës. Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier dhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Mary Eileen Devitt, kryesuan nënshkrimin e një marrëveshjeje për sigurimin e fondeve të reja në një ceremoni në Prishtinë.
Në deklarimin para mediave pas ceremonisë, ambasadori Hovenier theksoi se kjo ndihmë vë në pah përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë së SHBA-ve dhe popullit amerikan ndaj popullit të Kosovës. Ai më tej theksoi besimin e palëkundur të Qeverisë së SHBA-së se mbështetja zhvillimore për rritjen ekonomike dhe institucionet efektive qeverisëse do të ndihmonin në integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, duke ofruar kështu prosperitet dhe siguri për të gjithë qytetarët.
Që nga viti 1999, USAID ka dhënë më shumë se 1 miliard dollarë për të nxitur rritjen ekonomike dhe zhvillimin demokratik në Kosovë. Kjo mbështetje shtesë e USAID-it e thellon më tej këtë partneritet 25-vjeçar me popullin e Kosovës, duke demonstruar përkushtimin e Qeverisë së SHBA-së në mënyra konkrete nga të cilat përfitojnë të dyja shtetet.