Në Kosovë, të rinjtë shpesh nuk kanë mundësi të marrin pjesë në vendimmarrje rreth politikave që ndikojnë drejtpërdrejt tek ta. Kjo veçanërisht vlen për zonat rurale. Pa hapësira apo mundësi për t'u angazhuar dhe shprehur shqetësime, shumë të rinj ndihen të lënë anash. Aktiviteti Up to Youth i USAID-it ka punuar për të krijuar Rrjetet Mbështetëse Rinore (Youth Support Networks -YSN) për të nxitur angazhimin dhe bashkëpunimin gjithëpërfshirës. Gjatë pesë viteve të fundit, aktiviteti ka nxitur formimin e këtyre rrjeteve në nëntë komuna anembanë Kosovës.
Për të rinjtë si Nerxhivanja nga Hani i Elezit dhe Ideali nga Gjakova, YSN-të kanë qenë burime jetike për bashkëbisedime që frymëzojnë ndryshime. Pjesëmarrja gjatë viteve ka bërë që të dy të zhvillohen si liderë të aftë për t’i mobilizuar iniciativat lokale dhe kjo u ka sjellë përfitime të mëdha komuniteteve të tyre. Nëpërmjet YSN-ve, Nerxhivanja mori një iniciativë për t’i përmirësuar perspektivat e punësimit për personat me aftësi të kufizuara ndërsa Ideali ka bërë përpjekje të mëdha për programe gjithëpërfshirëse të orientimit në karrierë për të rinjtë vendas.
Anëtarët e tjerë të rrjetit madje edhe kanë adresuar çështje të vështira që i ndajnë grupet etnike në Kosovë. Për shembull, një anëtar nga Mitrovica i quajtur Milaim, së fundmi ndihmoi në themelimin e një kampi ndëretnik që mblodhi së bashku të rinjtë shqiptarë dhe serbë të Kosovës për të krijuar mirëkuptim të ndërsjellë dhe për t’i eliminuar paragjykimet e dëmshme.
Suksesi i YSN-ve thekson rëndësinë kritike të fuqizimit të perspektivave të të rinjve dhe ofrimit të hapësirës në mënyrë që ata të formësojnë në mënyrë aktive një shoqëri më të barabartë. Përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të vazhdueshëm, këto përpjekje po krijojnë një precedent të fuqishëm, duke siguruar që shqetësimet e të rinjve të Kosovës jo vetëm të dëgjohen, por edhe të veprohet për të mirën e të gjithëve.