Gjuha

 

Diçka e veçantë është duke ndodhur në Komunën e Graçanicës. Çdo muaj, disa ton mbeturina po largohen nga deponitë e po dërgohen drejt qendrave të riciklimit. Përgjatë këtij procesi, anëtarët e komunitetit rom po themelojnë biznese që mbështesin familjet dhe transformojnë lagjet.

Berjan Čelić është njëri nga këta ndërmarrës të rinj të fushës së riciklimit. Me prejardhje nga fshati Preocë i Graçanicës, ai fillimisht nisi punën në riciklim më shumë se dy dekada më parë me asgjë më shumë se një karrocë për grumbullimin e bakrit, aluminit, zinkut, çelikut dhe metaleve të tjera nga deponitë e hapura. Ai planifikoi t’i rriste përpjekjet e tij për vite me rradhë, por e vetmja pengesë ishin pajisjet dhe fakti se nuk kishte licencë biznesi.

Jo shumë kohë më parë, USAID-i i dha Berjanit makineri për mbledhjen dhe ngjeshjen e materialeve të riciklueshme dhe transportimin e tyre në qendrat e riciklimit. Ai gjithashtu mori ndihmë për ta regjistruar biznesin e tij, duke i mundësuar të nënshkruajë kontrata me komunat për të bërë grumbullimin e mbeturinave. E gjithë kjo e ka rritur në mënyrë të konsiderueshme sasinë e metaleve dhe plastikës që e përpunon çdo muaj, duke çuar në të ardhura shtesë për të mbajtur familjen e tij.
Për më tepër, grumbulluesit e mbeturinave që kanë marrë pajisje si pjesë e mbështetjes nga USAID dhe që i kanë zyrtarizuar bizneset e tyre, i kanë rritur të ardhurat e tyre për 147%, nga 400 euro në muaj në 989 euro.

Dhjetra miq dhe fqinjë të Berjanit kanë marrë mbështetje të ngjashme dhe kjo ka bërë që në Graçanicë të ketë një ndikim të madh mjedisor. 27 ton mbeturina riciklohen çdo muaj. Kjo liron 289 metra kub hapësirë ​​në deponi dhe i mbron më shumë se 200 pemë dhe kursen gjysmë milioni litra ujë. Kjo gjithashtu nënkupton se 43 ton dioksid karboni nuk emetohen në atmosferë. Këto janë rezultate tejet të mëdha për një komunë me vetëm disa dhjetëra mijëra banorë.

Në qoftë se ky trend vazhdon, këto shifra do të rriten në muajt dhe vitet në vijim. Historitë si ajo e Berjanit do të bëhen më të zakonshme, ku një numër në rritje i grumbulluesve joformalë të mbeturinave do të bëhen pronarë biznesi që e ndërtojnë rrugën drejt një Kosove më të gjelbër. Përmes këtij aktiviteti, USAID-i po punon për ta përmirësuar situatën dhe jetën e atyre që ia kushtojnë kohën dhe përkushtohen për mbrojtjen e ambientit.

Image
Një rrugë e re drejt së ardhmes për grumbulluesit e mbeturinave në Graçanicë
Berjani dhe grumbulluesit e mbeturinave që kanë marrë pajisje si pjesë e mbështetjes nga USAID dhe që i kanë zyrtarizuar bizneset e tyre, i kanë rritur të ardhurat e tyre për 147%, nga 400 euro në muaj në 989 euro.
Lura Ajdini, Demokracia Plus
Tags
Kosovo Stories