Gjuha

 

Politikat mbeten vetëm fjalë nëse nënpunësit publikë nuk kanë informata të nevojshme për t'i zbatuar ato. Kodet e reja të sigurisë së ndërtesave, përpjekjet për të parandaluar korrupsionin dhe ligjet që ua bëjnë më të lehtë minoriteteve dhe personave me aftësi të kufizuara qasjen në shërbime, të gjitha këto varen nga aftësia e shtetit për t'u mësuar aftësi të reja zyrtarëve në terren.

Pjesërisht, kjo është arsyeja pse një platformë funksionale e trajnimeve online për nënpunësit publikë është një nga kërkesat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova nuk kishte ndonjë mjet të tillë deri verën e kaluar, kur Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP) dhe USAID-i u bënë bashkë për të lansuar një platformë të re të të mësuarit interaktiv për zyrtarët anembanë vendit.

Më parë, punonjësit e qeverisë duhej të udhëtonin për t’i ndjekur kurset në Prishtinë, pavarësisht vendit të tyre të punës. Kjo nënkuptonte kosto të larta dhe pjesëmarrje të kufizuar në kurse që ofronin informata thelbësore mbi zbatimin e politikave dhe praktikave të reja në vendin e punës. Për qytetarët, kjo shkaktoi edhe ndërprerje të përkohshme të shërbimeve që i merrnin përmes komunës së tyre gjatë kohës që stafi udhëtonte.

Aktualisht, IKAP-i është në proces të kalimit në platformën online të afërsisht 30 përqind të 6000 sesioneve të trajnimit që zhvillon çdo vit. Disa prej këtyre kurseve do të fokusohen në sigurinë kibernetike, prokurimin publik dhe mësimin e normave të reja që shmangin në mënyrë proaktive konfliktet e interesit dhe animet politike. IKAP shpreson se kjo do të ndihmojë në trajnimin e 1600 punonjësve dhe të kursejë 150,000 € gjatë pesë viteve të ardhshme.

Duke folur për ndikimin e sistemit të ri, zëvendësministri i Kosovës për Punë të Brendshme, Bardhyl Dobra, theksoi se “Ky sistem e kthen trajnimin nga një sfidë logjistike në një pjesë të pandashme të rutinës së përditshme të zyrtarëve tanë, duke u mundësuar atyre të arrijnë suksese pa pengesa të panevojshme”.

Të gjitha sektoret e qeverisë janë njoftuar për këtë zhvillim të ri dhe janë të interesuar për t'iu bashkuar kësaj nisme. IKAP është qendra kryesore për ngritjen e kapaciteteve brenda shërbimit civil dhe po rritet duke përmbushur mandatin për të trajnuar 80,000 shërbyesit publikë në Kosovë në vitet në vijim. Qytetarët do të jenë përfitues të këtyre përpjekjeve përmes shërbimeve më të mira, përdorimit të përgjegjshëm të fondeve publike dhe standardeve që e afrojnë Kosovën drejt anëtarësimit në BE.

 

Image
Trajnimi online i shërbyesve publikë: Një hap digjital drejt së ardhmes për qeverisjen në Kosovë
Pamje e platformës onllajn
USAID
Tags
Kosovo Stories