Shkup, Maqedonia e Veriut; 15 nëntor 2023 – Ndihmës administratorja e USAID-it për Europë dhe Euroazi, ambasadorja Erin Elizabeth McKee, mbërriti në Maqedoninë e Veriut më 13 nëntor pas vizitës në Athinë, Greqi, gjatë së cilës nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qeverinë e Greqisë  për Bashkimin e Tregut të Energjisë në Europën Juglindore . Kjo nismë do të avancojë bashkëpunimin midis institucioneve të energjisë në Greqi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë, për integrimin e tregjeve të energjisë elektrike, si dhe në krijimin e një rajoni më të lidhur dhe më të sigurt energjetik.

Qëllimi i vizitës së ambasadorit McKee në rajon përfshinte promovimin e Urës së Energjisë të USAID-it, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e sigurisë energjetike europiane duke lidhur partnerët në rajon me investitorët, teknologjinë dhe ekspertizën amerikane. Gjithashtu, ajo u informua për çështjet kyçe lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Angazhimet diplomatike të ambasadorës McKee trajtuan komponentët kryesorë të kornizës strategjike të USAID-it për Europën dhe Euroazinë për forcimin e themeleve të lirisë, që perfshin fusha kyqe si siguria energjetike, siguria kibernetike, integrimi ekonomik dhe masat kundër korrupsionit.

Ndihma dhe partneriteti i USAID-it me Maqedoninë e Veriut gjatë tridhjetë viteve të fundit ka kontribuar në arritje të rëndësishme zhvillimore. Rruga drejt integrimit Euro-Atlantik kërkon vullnet politik; institucione të forta qeverisëse, të bazuara në lidhje të qëndrueshme me qytetarët, dhe inkurajim të vendeve partnere të ruajnë rrugën e tyre të zhvillimit. Shtetet e Bashkuara mbështesin popullin dhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut në këte rrugë drejt thëllimit dhe mbajtjes së procesit të ringjalljes demokratike.

Populli amerikan, përmes USAID-it, ka investuar më shumë se 840 milionë dollarë në Maqedoninë e Veriut që nga viti 1993. USAID-i është agjencion udhëheqës ndërkombëtar dhe shtytës drejt rezultateve zhvillimore. Puna e USAID-it avancon sigurinë kombëtare dhe prosperitetin ekonomik të SHBA-ve, shpreh bujarinë amerikane dhe promovon rrugën drejt vetëqëndrueshmërise dhe zhvillimit vetanak të vendeve me të cilat bashkëpunon.